Thursday, May 8, 2014

Vdekja dhe “procesi i hidhërimit” që rrjedh prej saj – një përballje pozitive

(Shkruar në dhjetor 2012)

Vdekja është një dukuri me të cilën jetojmë dhe përballemi për ditë: dëgjojmë në lajme e rubrika për të; shohim në televizor filma me përshkrime reale e fiktive të vdekjes; na e kujton sirena e një ambulance; na e sjell ndërmend një lajmërim apo përkujtimore në mur apo shtyllë; na bie në sy kur një grup zonjash veshur me të zeza apo një kortezh na kalon pranë; ëndërrojmë sikur vdesim a vritemi; ose kemi frikë të bëjmë diçka, sepse reagimi i menjëhershëm është mendimi ankthndjellës: ‘po sikur të më ndodhë diçka dhe vdes’; lutemi për ata që kanë ndërruar jetë e meditojmë për vdekjen, si dhe bëhemi të vetëdijshëm për të në forma të tjera të ndryshme e që nuk listohen të gjitha këtu. Të gjitha këto momente që lidhen me vdekjen i përjetojmë me një peshë emocionale, por kjo peshë rritet e bëhet më intensive, kur vdekja “na bie mbi kokë” në familjen tonë apo rrethin tonë të ngushtë shoqëror.

Ndoshta e zgjodha tani kohën për ta shkruar këtë artikull të shkurtër në formë eseje, sepse kohët e fundit vdekja është diçka që më ka prekur personalisht, kur rreth dhjetë ditë më parë ndërroi jetë xhaxhai im – një njeri fisnik në të gjitha drejtimet – si rrjedhojë e një traume aksidentale që pati në punë rreth tre javë më parë. Dhe ajo që po sjell për lexuesin është një përjetim personal i ndërthurur me konceptet psikologjike, që ndoshta të shërbejë disi për këdo që po kalon ose do i ndodhë të kalojë në të ashtuquajturin “procesi i hidhërimit” që rezulton nga humbja e një personi të dashur. Specialistët e shëndetit psiko-social akuzohen (me të drejtë e pa të drejtë) se janë të shkëputur nga vuajtjet e të tjerëve dhe dijnë vetëm të japin këshilla, pa i patur përjetuar problemet vetë më parë. Personalisht, edhe pse jam plotësisht i vetëdijshëm se në cilin stad të procesit jam vetë dhe ku janë të afërmit e mi, e kam të vështirë t’i ndihmoj ata që vazhdojnë ta përjetojnë më rëndë humbjen, meqenëse jam vetë i përfshirë emocionalisht e s’mund të jem tërësisht objektiv. Gjithësesi, vendosa që problemin psikologjik – hidhërimin nga vdekja – ta sjell në nivel personal, pasi do e ndihmonte lexuesin të reflektojë, të identifikohet e të marrë qëndrim ndaj asaj që lexon.

Në psikologji e psikoterapi, “procesi i hidhërimit” njihet si një mekanizëm reagues ndaj humbjes së diçkaje të dashur e me vlerë dhe, në këtë rast, po flasim për vdekjen e një personi të afërt. Kështu, humbja dhe ndarja fizike nga personi i afërt, i cili deri para pak çastesh ishte aty, shkakton një reagim që prek tërë qenien njerëzore; na prek në nivel fizik, mendor e emocional. Eshtë e rëndësishme të ndërgjegjësohemi për procesin e hidhërimit, që të jemi në gjendje ta përballojmë humbjen në një mënyrë të natyrshme e që nuk lë pasoja serioze brenda nesh dhe në mjedisin tonë social. Duke qenë një proces, ai përbëhet nga një cikël emocionesh e ndjenjash si: habia, konfuzioni, zemërimi, trishtimi, frika e të tjera, që shpeshherë duket sikur e pushtojnë të gjithë qenien tonë, madje duke na paralizuar në veprimtarinë tonë normale, nëse nuk mobilizohen e burimet e brendshme dhe nuk sigurohet mbështetja e nevojshme nga jashtë. Sipas Elisabeth Kübler-Ross (On Death and Dying, 1970) dhe studiues të tjerë të fushës psiko-sociale, që kanë trajtuar temën e tronditjes  dhe humbjes nga vdekja, për këtë proces nevojiten disa stade, ku ajo vetë liston pesë dhe të tjerë studiues përfshijnë edhe të tjera. Sipas edhe vëzhgimeve personale dhe përvojës, mund të pohoj që janë shtatë në total, duke mbështetur atë që Michele Meuwly (Puna me fëmijët dhe mjedisin e tyre: manual për aftësitë psiko-sociale, Tdh, 2011), thotë: “...këto stade nuk duhet të ndodhin detyrimisht sipas kësaj radhe, dhe as sipas ndonjë ritmi të caktuar. Ka shpesh një hyrje e dalje që kërkon më pak ose më shumë kohë. Në përgjithësi, pasi ka mbaruar i gjithë procesi, humbja është përballuar në mënyrë të shëndetshme dhe tashmë personi mund të kalojë në gjëra të tjera.” Me të drejtë ajo shton, sepse përvoja ka treguar që: “dikush s’e harron kurrë një humbje, ajo thjesht bëhet më pak e ngarkuar nga ana emocionale dhe nuk paraqet më një pengesë ndaj zhvillimit tonë personal. Ajo tashmë është një cikatrice dhe jo më një plagë”.

Kështu, le t’i shohim këto stade apo faza të procesit të hidhërimit dhe të reflektojmë praktikisht mbi ç’kuptim kanë në plan personal e profesional:

1.       Mohim, refuzim -- Kjo është faza e mos-pranimit të humbjes, që pason momentin e vdekjes së personit të afërt, kur, sapo marrim vesh lajmin, i themi vetes ose të tjerëve: “Thjesht nuk është e mundu! Kjo është e pabesueshme, nuk mund të më ketë ndodhur mua!  Jam në ëndërr!” Në këtë kohë vazhdojmë sikur çdo gjë të ishte në rregull, duke gënjyer veten apo të tjerët mbi çfarë ka ndodhur realisht. Simptomat mund të shihen në refuzimin për të qarë ose në të vepruarit sikur personi të ishte akoma gjallë, ku dashje pa dashje shkohet në dhomën ku personi qëndronte apo edhe mund të merret në telefon për ta pyetur se ku është. Pra, në këtë fazë, vdekja e personit mohohet e refuzohet. Nga këndvështrimi i Psikoterapisë Pozitive, mund të themi që personi i vdekur – që deri pak më parë ishte objekti dhe subjekti i dashurisë, afeksionit, kohës, durimit, kontaktit, besimit, vetëbesimit, shpresës, frymëzimit, shpirtëror, modelit dhe unitetit – nuk është më dhe të gjitha këto “aftësi aktuale parësore” e “nevoja” që ai i përmbushte në jetën tonë mbeten të papërmbushura, duke lënë boshllëkun. Eshtë ky boshllëk që në mënyrë të pavetëdijshme, për ta mbrojtur veten, përpiqemi ta mohojmë e refuzojmë. Për profesionistin (punonjësin social, psikologun, konsulentin apo psikoterapistin) shtrohet detyra e të qenurit pranë personit apo grupit të personave të prekur nga humbja dhe sigurimit të ndihmës orientuese në realitetin e “hidhur”, duke i treguar që ajo që po mendon e ndjen është e mëse e natyrshme dhe duke e ndihmuar të kalojë në fazat e tjera.

2.       Zemërim, protestë -- Këtu emocioni dominues është zemërimi kundër personit që mungon, që ka vdekur ose që ka çuar në vdekjen. Ngrihen e thuhen pyetje e shprehje të tilla si: “Pse mua? Pse duhet të ndodhte? Jeta është shumë e padrejtë!  Po të ishte bërë kjo gjë, s’do kishte vdekur.” Kjo fazë karakterizohet nga fajësimi i dikujt apo disa personave që “janë përgjegjës për humbjen”, ku ndjenja urrejtjeje e hakmarrjeje mund të dalin në pah. Ky zemërim e urrejtje mund të orientohet madje edhe ndaj Perëndisë nëse beson te Ai, ose urrejtja e diçkaje shpirtërore, me pyetje e shprehje tipike: “Pse ma bëre këtë o Zot!” “Pse e more të mirin dhe  të ligun e le mbi tokë? Sa i padrejtë paske qenë, o Zot!”  Në bazë të emocioneve qëndrojnë konceptet tona mbi kapacitetet dytësore të “drejtësisë”, “sinqeritetit”, “saktësisë”, “besueshmërisë” që janë “norma sociale” dhe atë parësor të “besimit fetar/shpirtëror” dhe, nëse këto koncepte janë të keqndërtuara ose të pazhvilluara në një mënyrë emocionalisht të shëndetshme, apo kur “fajtori nuk jep shpjegimet e nevojshme” është shumë e thjeshtë dhe normale të kalojmë në ndjenja hakmarrjeje që i qëndrojnë kohës. Këtu lind problemi madhor. Për specialistin rekomandohet ta ndihmojë personin apo grupin e hidhëruar të flasë për konceptet e veta mbi këto kapacitete dhe gradualisht t’i ndryshojë ato, ku është e nevojshme dhe e mundur. Forcimi i kapaciteteve është thelbësor dhe ndikon pozitivisht në daljen nga kjo fazë.

3.       Pikëllim, depresion – Kjo fazë karakterizohet  nga ndjenja e paralizës dhe humbja e kontrollit mbi jetën. Na merr shumë malli për personin, sepse ishte objekti dhe subjekti i nevojave tona emocionale e shpirtërore. Humbja e kapacitetit të “shpresës”, ndër kapacitetet parësore të lartpërmendura dhe shkatërrimi i ëndrrave për të ardhmen që ekzistonin më përpara, çojnë në një spirale boshllëku e pikëllimi, humbjeje interesi në gjërat e bëra me kënaqësi deri në atë moment, mosbesim e madje mbyllje në vetvete. Ky është pragu i rrezikshëm, i cili tregon për hyrjen në një depresion që mund të përshkallëzojë negativisht. Sërish, në këtë fazë, roli i familjarëve “më të fortë” dhe profesionistit është kyç për ta ndihmuar personin apo grupin e hidhëruar të dalë nga kjo spirale e dëmshme për mirëqenien e tij, duke siguruar mbështetjen emocionale të domosdoshme dhe duke mobilizuar burimet e brendshme e të jashtme – kapacitetet e natyrshme psiko-sociale – të të hidhëruarve. Në mënyrë të natyrshme, kjo fazë do të kalojë vetëm me të qara sporadike e mall për personin e humbur. Trishtimi shpreh nevojën për ngushëllim dhe kur ngushëllimi ofrohet, gjithçka bëhet më e thjeshtë.

4.       Frikë – Ajo që e karakterizon këtë fazë është frika për të ardhmen – pra, ankthi. Pyetje e pohime që bëhen brenda vetes, ndër të tjera, janë: “Si do ia bëj tani? Cila do të jetë e ardhmja ime, si mund ta gjej një zgjidhje?”  Nuk mund t’ia filloj dot më nga e para!” Faza karakterizohet nga ndjenjat e vetmisë së thellë dhe si rrjedhojë, pa ndihmën e duhur, mund të çojë në çrregullime të ankthit dhe ta zgjasë edhe fazën e depresionit. Këtu specialistit i duhet ta ndihmojë personin sërish të kuptojë se ajo që po i ndodh është mëse normale dhe t’ia lehtësojë kapërcimin e kësaj faze përmes lidhjes me të tashmen dhe zgjerimit të synimeve për të ardhmen. Familjarët e tjerë dhe grupi shoqëror ftohen ta ndihmojnë të hidhëruarin ta përballojë humbjen dhe të ndihet i sigurt nga prania e tyre.

5.       Pranim – Momenti vendimtar i pranimit tregon ngushëllim dhe shërim. Arrijmë të gjejmë ngushëllim në kujtimet e bukura, në momentet gazmore e domethënëse të kauara me personin e humbur. Mendimet fillojnë të kthehen drejt së ardhmes, drejt planeve të freskëta dhe zhvillimeve pozitive. Rilind shpresa, që jeta mund të jetohet dhe që do përmbajë momente gëzimi. Në këtë fazë, specialisti psiko-social nuk mund të japë shumë, por vazhdon ta inkurajojë të hidhëruarin të përforcojë ato mendime e sjellje pozitive që i ka verbalizuar vetë.

6.       Krijim i lidhjeve të reja - Personi e hedh mbrapa krahëve trishtimin dhe ndërton atashime e lidhje të reja pa iu trembur një humbjeje të re. Personi është gati të riangazhohet në aktivitetet dhe projektet që i bënte me kënaqësi apo në mënyrë rutine përpara humbjes. Këtu, personi del plotësisht nga faza e pikëllimit dhe depresionit dhe është gati ta përqafojë jetën dhe botën sërish.

7.       Falje dhe mirënjohje – Praktika ka treguar që ndonjëherë, por jo gjithmonë, personi do ta arrijë këtë stad të fundit të shërimit e të qetësimit dhe është në gjendje të japë përsëri, të gjejë kënaqësi në jetë, dhe madje mund të gjejë edhe një kuptim në këtë humbje. Ky është stadi ku konceptet tona mbi jetën, vdekjen, jetën pas vdekjes, qëllimin e jetës dhe pozicionin tonë në këtë univers marrin formën e tyre të plotë, duke gjetur një harmoni mes ligjeve të natyrës dhe atyre fetare e shpirtërore, ku çdo gjë – jeta, vdekja e jeta pas vdekjes – shihet me syrin e njëshmërisë. Kjo fazë tregon që stadi i zemërimit dhe protestës është kapërcyer dhe “keqbërësi” nuk shihet më si i tillë, falet prej nesh ose i kërkohet falje madje.

Duhet ritheksuar që stadet e mësipërme janë normale dhe çdo person kalon përmes tyre në mënyra të ndryshme, përmes të gjithave ose përmes vetëm disa prej tyre, sipas kësaj radhe ose jo, gjatë një periudhe të gjatë ose të shkurtër kohe. Pra, mund të na ndodhë që të kalojmë në të gjitha stadet brenda disa ditësh a javësh, ashtu siç mund të duhen edhe vite. Kjo varet shumë nga kultura në të cilën jeton personi. Nga pikëpamja e Psikoterapisë Pozitive, aspekti transkulturor (konteksti kulturor në të cilin është rritur personi dhe nënkultura që ai ka përqafuar) përcakton shkallën dhe intensitetin e përjetimit të disave apo të gjitha fazave. Për shembull, në disa kultura, emocioni i zemërimi nuk mund të verbalizohet, sepse nuk pranohet në disa kultura. Brenda Shqipërisë mund të shohim mënyra të ndryshme të shprehjes së këtij emocioni nga burrat dhe gratë. Madje, edhe brenda të njëjtës gjini, ky emocion mund të shprehet ndryshe nga njëra krahinë në tjetrën, apo edhe brenda një komuniteti, në varësi të normave të traditës dhe zakoneve mbi ceremonitë mortore dhe mbajtjen e zisë të përqafuara, me hir apo me pahir, nga grupi. Këto faktorë kulturorë përcaktojnë shpesh diapazonin dhe intensitetin e procesit të hidhërimit. Gjithashtu, çdo person është një mikro-kulturë unike dhe si rrjedhojë mund të kalojë në procesin e hidhërimit në mënyrë unike, ndryshe nga familja a grupi ku bën pjesë, meqenëse konceptet e tij mbi kontaktin social, jetën, vdekjen e jetën pas vdekjes janë të ndryshme. Në fillim të këtij artikulli përmenda që xhaxhai im “ndërroi jetë”. Përdora këtë shprehje që në gjuhën shqipe ka një domethënie të madhe për këdo që e përdor në mënyrë të vetëdijshme. Ajo flet për konceptin individual apo kolektiv që përdorim për vdekjen: “personi i vdekur ka lënë këtë botë/jetë fizke dhe është ngritur në një botë/jetë shpirtërore”. Edhe këtu, moderimi është thelbësor.

Gjithësesi, është e rëndësishme të mbajmë mend se shumicën e kohës dhimbja kalon dhe gëzimi e lumturia dalin përsëri në sipërfaqe. Vetëm ne mund t’ia lejojmë ose kufizojmë vetes mundësinë për ta jetuar jetën me çdo moment gëzimi që ofron, pas përjetimit të humbjes së një personi të afërt e të dashur. Dimensioni shpirtëror ka rëndësi në Psikoterapi Pozitive dhe, ndër të tjera, lidhet me besimin tonë, bindjet, pikëpamja për jetën e vdekjen, lutjet, meditimin, etj. Prof. Dr. Nossrat Peseschkian, babai i Psikoterapisë Pozitive na fton t’i rishikojmë e t’i ekzaminojmë konceptet tona, duke i ballafaquar me realitetin përmes katër instrumenteve: shqisat, logjika, tradita dhe intuita. Sa më të shëndetshme konceptet dhe sa më të integruara ndijimet e marra nga këto katër instrumene, aq më lehtë e shpejt kapërcehet dhimbja e humbjes. Jemi të inkurajuar të përfitojmë nga rezervuari i pafundëm i dijes që filozofët e Profetët kanë sjellë në mijëvjeçarë dhe që shkenca po demonstron përmes studimesh e vëzhgimesh, se vetëdija (psika, shpirti, mendja) nuk është produkt i trurit, por diçka më e lartë, jo-materiale, e përhershme, e përjetshme. Prandaj, është ngushëllues fakti të dimë që të dashurit tanë që i kemi humbur fizikisht, në të vërtetë nuk i kemi humbur. Personalisht më ka ndihmuar gjithmonë dhe profesionalisht i ndihmon miqtë dhe klientët e mi (që mund të vuajnë nga ankthi me bazë frikën nga vdekja) të ndaj me ta sigurinë që vjen nga citati i mëposhtëm, që flet mbi realitetin e shpirtit (psikës) dhe lidhjes së tij me Krijuesin e tij:

“O Bir i Njeriut!  Ti je mbretëria Ime dhe mbretëria Ime nuk vdes kurrë, përse pra ke frikë nga vdekja jote? Ti je drita Ime dhe drita Ime kurrë nuk do të shuhet, përse ti i trembesh shuarjes? Ti je lavdia Ime dhe lavdia Ime nuk venitet; ti je rroba Ime dhe rroba Ime kurrë nuk do të vjetërohet. Qëndro, pra, në dashurinë për Mua, që të më gjesh Mua në mbretërinë e lavdisë.” (Bahá’u’lláh, Fjalët e Fshehura dhe Fjalë Urtie, 1996)

Në psikoterapinë e aplikuar, një citat i tillë ndër shumë të tjerë të marrë nga tradita e pasur e Besimeve fetare, luan një rol vendimtar në kapërcimin e stadeve të procesit të hidhërimit në një mënyrë të shpejtë, por të shëndetshme e të natyrshme. Nuk është deluzion të besosh në pavdekshmërinë e shpirtit dhë përparimin e tij në një dimension shpirtëror, që e mbështjell këtë univers fizik. Deluzioni qëndron në mendimin kokëfortë e të pabazë që trashëgohet brez pas brezi: truri njerëzor, i përbërë në masën 67% nga uji, është në gjendje të mendojë, arsyetojë, të ruajë informacionin, të krijojë e përfytyrojë. Një deluzion i tillë e bën çdo njeri që kalon procesin e hidhërimit “skllav” të emocioneve dhe ndjenjave të zemërimit, trishtimit e frikës dhe qëndron në themel të iluzionit neurotik, se realiteti është i kufizuar vetëm në materie. Fatmirësisht, shkencat e psikologjisë dhe psikoterapisë po përqafojnë praktikat humaniste e holistike, si Psikoterapia Pozitive, ku njeriu shihet njëkohësisht si një qenie fizike, mendore, sociale e shpirtërore, duke i dhënë një përgjigje pohuese pyetjes së natyrshme të mendjes njerëzore: “A do vazhdoj të jetoj pas vdekjes fizike dhe a do i takoj sërish të dashurit e zemrës që i kam humbur më parë?”


Etion Parruca
Psikoterapeut, Trajner & Supervizor Psiko-social/LLS
Qendra Shqiptare për Psikoterapi Pozitive

No comments:

Post a Comment